Edukimi

Në thelb të vizionit të muzeut është dëshira për të drejtuar publikun e çdo moshe në një udhëtim frymëzues përmes letërsise shqipe, dhe të inkurajojë sidomos moshat e reja të eksplorojnë potencialin e tyre krijues. Për këtë arsye Shtëpia Studio Kadare ka zhvilluar programe edukative për disa grupmosha, mbështetur dhe në kurrikulat arsimore dhe metodat pedagogjike të secilës moshë. Shtëpia Studio Kadare është e përkushtuar të garantojë një mjedisi të sigurt, krijues dhe të këndshëm, ku fëmijët të mund të angazhohen në mënyrë aktive me muzeun.

Në këtë kuadër jemi të entuziasmuar të ofrojmë programin për grupmoshat e shkollës fillore ku turi i Shtëpisë i adaptuar për fëmijë pasohet nga leximi së bashku i titujve “Princesha Argjiro” apo “Gurëgdhendësit” nga vetë autori Kadare. E gjithë kjo eksperiencë do të kontekstualizohet në kuadrin e një punëtorie të zhvilluar së bashku me fëmijët, ku në grup do të krijojmë “Fjalorthin e fjalëve të panjohura”, të cilin secili fëmijë do të mund ta marrë në shtëpi në fund të vizitës. Nëpërmjet këtyre punëtorive fëmijët kanë mundësi të njihen me autorin Kadare, jetesën e shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe duke u argëtuar të pasurojnë fjalorin e tyre.

Programi për grupmoshat e gjimnazit përfshin vizitën e thelluar në Shtëpinë Studio Kadare nëpërmjet kontekstualizimit historik dhe politik me marrëdhëniet intelektuale të kohës, së ingranazheve që rregullarizonin botimin e librave dhe arteve të ndryshme. Në kuadër të kësaj vizite mundësohet dhe zhvillimi i orës letrare mbi Ismail Kadarenë në ambjentet e muzeut. Për specifikime të mëtejshme rreth praktikave edukative të Muzeut, apo për ndërtimin e planeve të personalizuara ju lutem na shkruani në shtepiakadare@tirana.al.