Në Parkun që Mbuluan Fletët

U festua mes gjetheve që solli vjeshta dhe notave muzikës së dhomës 29 shtatori, Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, në Shtëpinë Studio Kadare që si gjithnjë sjell risi për jetën artistiko-kulturore të kryeqytetit.

Koncerti i dhomës “Në parkun që mbuluan fletët” mori shkas nga poezia e famshme e Ismail Kadare me të njëjtin titull, por ndryshe nga pritshmëritë, fletët kishin mbuluar apartamentin, dikur shtëpi e shkrimtarit, duke sjellë një surprizë shumë të këndshme për pjesëmarrësit.

…Që ti të vije kaq e bukur

Me këta flokë, me këtë hap 

Toka të egrën klimë e zbuti

Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe 

Të ndodhte ndryshe s’kish se si

U desh të zhdukeshin përbindshat 

Që te kjo botë të vije ti…

Performancës së kuartetit të harqeve “Archidea” iu bashkuan këtë herë dhe pianistja Nita Grubi nga Maqedonia e Veriut dhe violinisti Festim Fanaj nga Kosova, duke e kthyer mbrëmjen në një festë mbarëkombëtare të trashëgimisë muzikore shqiptare. Ishin të mrekullueshme interpretimet e instrumentistëve të talentuar Era Canaj në violinë, Vjolla Baholli violë, Blerina Durmishaj violonçel, Keli Gavelli korno dhe Ilir Kodhima korno e alpinhorn, që ngritën peshë publikun e nxitën ovacione të gjata me muzikën e përzgjedhur e performimin mjeshtëror.