Tetori i Librit

Në kuadër të muajit të librit Shtëpia Studio Kadare mikpriti fëmijë, nxënës dhe gjimnazistë të shkollave publike dhe jopublike nga Tirana, Durrësi, Lezha, Elbasani etj. Muzeu Kadare si i vetmi muze letrar në Tiranë ishte hapësira e preferuar e nxënësve, ku përveç vizitës në apartamenin ku ka jetuar shkrimtari Isamil Kadare organizuan takime letrare, analizuan fragmente nga librat “Pallati i Ëndrrave”, “Princesha Argjiro”, “Kronikë në Gurë” e shumë të tjerë.

Lexo N’Park-Lexo Kudo

Sëbashku me përkthyesen Znj.Aida Baron dhe nxënësit e shkollës Faik Konica në ambjentet e Parkut të Madh trajtuam librin “Vajzat e Fshatit”, një nga dhjetë romanet më me ndikim në botë, i cili theu heshtjen mbi tabutë seksuale dhe çështjet shoqërore në Irlandën e viteve 1960.

Në Amfitetarin e Liqenit bashkë me botuesen Znj. Arlinda Dudaj nga Botimet Dudaj, prezantuam librin “Nesër e Përgjithmonë”, botimin më të ri nga kantautori dhe autori Ermal Meta. Një roman i cili rrëfen historinë e Kajanit, personazhit kryesor, por njëkohësisht tregon shumë për rrënjët e kantautorit. Fragmentet e lexuara, përshkrimi detajist dhe mjaft original erdhën tek studentët e pranishëm si një reflektim për të bërë gjërat më mirë, për të kuptuar se kur jemi bashkë arrijmë shumë më tepër sesa vetëm.

Festivali i Filmit Vizatimor Çek & Sllovak

Nё Shtёpinё Studio Kadare pёrgjatё dy ditёve u organizua Festivali i Filmit Vizatimor nё bashkёpunim me ambasadat Çeke dhe Sllovake. Fёmijёt ishin protagonistёt e kёtij festivali ku u njohёn me kulturёn, historinё çeke dhe sllovake nёpёrmjet vizatimeve, lojrave dhe kuizeve. Ata ndoqёn dhe filmat vizatimor humoristik “Aventurat e Pat & Mat dhe Jozenko”.