Takimet “Kult-URË”

Shtëpitë Studio Kadare – Agolli, janë mjediset ideale për të qenë një hapësirë mendimi, aty ku intimisht por edhe publikisht, aktorë dhe faktorë me peshë të jetës publike në vend, të mund të flasin për tema, çështje, fenomene thelbësore të kulturës dhe shoqërisë shqiptare.

Kjo është plotësisht e mundur dhe ka nisur të ndodhë. Me këtë qëllim, prej Dhjetorit 2024, është themeluar një nismë, takim i përmuajshëm pagëzuar “Kult-URË” dhe që synon të flitet për tema, për të cilat nuk flitet shpesh në diskursin publik. Kështu, në fund të çdo muaji, njërëz të cilët kanë zgjedhur të kontribuojnë për kulturën dhe shoqërinë tonë, bëhen bashkë për të ngritur zërin dhe sidomos për të komunikuar me të rinjtë.

Takimet e përmuajshme janë themeluar në fund të vitit 2024 dhe synojnë që përmes jetës dhe veprimtarisë së shkrimtarëve, por edhe fenomeneve për të cilat ata shkruajnë, të krijojnë një kënd të mendimit në një institucion themelor të kulturës në Shqipëri.

Muzeu Vendor Kadare – Agolli, një hapësirë unike kulturore dhe historike në qendër të qytetit, përmes këtyre takimeve, ka hedhur themelet e krijimit të një “institucioni të mendimit” në Shqipëri. Profesionistë të fushave të ndryshme, në varësi të temës së diskutimit, shkëmbejnë mendime por edhe komunikojnë me audiencat e reja, kryesisht gjimnazistë dhe studentë, për t’i shndërruar këto diskutime, në dritare me peshë në komunikimin publik.

Këto janë takime të lira për këdo që dëshiron t’i bashkohet ndaj çdo qytetar, përmes faqeve zyrtare në rrjetet tona sociale, mund të informohet për temën dhe të bëhet pjesë e takimeve.