Rreth Nesh

“Shtëpia Studio Kadare”, lindur më së pari si një muze qytetës, është mirëfilli edhe një hapësirë kulturore e cila shtjellohet në apartamentin ku shkrimtari Ismail Kadare banoi nga viti 1974 deri në fillim të vitit 1990. Fuqia e kësaj hapësire qëndron te natyra dhe funksionet e shumëfishta të saj qysh se lindi. Ky apartament nuk ishte vetëm vendbanimi i Kadaresë, por edhe vendi i tij i punës, meditimit e krijimit, dhe si i tillë ai përfaqëson një portë për në auditorin e kulturës së pasluftës.

E organizuar në 6 dhoma, Shtëpia Studio Kadare është një mikrounivers autentik prej të cilit kushdo del duke marrë me vete një vetëdijsim të mirë e thuajse të plotë mbi veprën e Kadaresë.

Duke ecur në të njëjtën atmosferë vetjake ku dikur jetoi e shkroi Kadare, rrokim me mend e ndjesi punën e tij, vendet ku shkroi, librat që e formuan, njihemi me historikun e jetës së tij private dhe publike dhe kemi fatin të shohim nga afër dorëshkrime, pishtullarë, përkthime, fotografi dhe gjithçka tjetër që i vlen njohjes së këtij personaliteti sa kompleks aq edhe kombëtar e ndërkombëtar. Shtëpia Studio Kadare mëton t’i grishë vizitorët e saj vendas e të huaj drejt të kuptuarit më të thellë të historisë shqiptare gjatë totalitarizmit pesëdekadësh, duke u bërë vetë frymëzuese e nxitëse për kërkime mbi letërsinë dhe historinë shqiptare të asaj periudhe, periudhë për të cilën shumëçka mbetet ende për t’u thënë a interpretuar.

Përveç përmasës personale Shtëpia Studio Kadare funksionon mirëfilli edhe si hapësirë studimore. Me botimet e saj origjinale në Shtëpi, me bibliotekën kushtuar Kadaresë si edhe bibliotekën e pasur vetanake të shkrimtarit, dhoma jonë e katërt përbën dhe zemrën përherë të re e aktive kushtuar studimit, e cila synon të ofrojë një hapësirë për cilindo studiues a dashamirës dijeje. E po ashtu Shtëpia Studio Kadare do të vijojë të joshë vizitorët drejt mendimit e reflektimit letrar, duke treguar si ndryshon puna e shkrimtarit në takimin e tij me lexuesit në kohë dhe vendndodhje të ndyshme.

Misioni

Në thelb të vizionit të muzeut është dëshira për të drejtuar publikun e çdo moshe në një udhëtim frymëzues përmes letërsisë shqipe, dhe të inkurajojë sidomos moshat e reja të eksplorojnë potencialin e tyre krijues. Për këtë arsye Shtëpia Studio Kadare ka zhvilluar programe edukative për disa grupmosha, mbështetur dhe në kurrikulat arsimore dhe metodat pedagogjike të secilës moshë. Shtëpia Studio Kadare është e përkushtuar të garantojë një mjedis të sigurt, krijues dhe të këndshëm, ku fëmijët të mund të angazhohen në mënyrë aktive me muzeun.

Vendodhja

Shtëpia Studio Kadare ndodhet në katin e tretë të Pallatit nr.85 në Rrugën e Dibrës, i cili u projektua nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972. Pallati vetë është shpallur në vitin 2015 Monument Kulture i Kategorisë II. Ndërtesa ose siç quhej në atë kohë “pallati me kuba” është po aq emblematike sa vetë apartamenti, pasi përfaqëson në vetvete aspiratën e arkitekturës shqiptare për të qenë në një hap me kohën dhe në veçanti me Perëndimin. Për këtë arsye u vu në qendër të akuzave të kohës dhe regjimit të atëhershëm duke u quajtur moderniste dhe kubiste. Ndërsa projektuesi i saj u burgos plot 10 vjet.