

Në këtë kuadër jemi të entuziasmuar të ofrojmë programin për grupmoshat e shkollës fillore ku turi i Shtëpisë i adaptuar për fëmijë pasohet nga leximi së bashku i titujve “Princesha Argjiro” apo “Gurëgdhendësit” nga vetë autori Kadare. E gjithë kjo eksperiencë do të kontekstualizohet në kuadrin e një punëtorie të zhvilluar së bashku me fëmijët, ku në grup do të krijojmë “Fjalorthin e fjalëve të panjohura”, të cilin secili fëmijë do të mund ta marrë në shtëpi në fund të vizitës. Nëpërmjet këtyre punëtorive fëmijët kanë mundësi të njihen me autorin Kadare, jetesën e shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri si dhe duke u argëtuar të pasurojnë fjalorin e tyre.
Programi për grupmoshat e gjimnazit përfshin vizitën e thelluar në Shtëpinë Studio Kadare nëpërmjet kontekstualizimit historik dhe politik me marrëdhëniet intelektuale të kohës, së ingranazheve që rregullarizonin botimin e librave dhe arteve të ndryshme. Në kuadër të kësaj vizite mundësohet dhe zhvillimi i orës letrare mbi Ismail Kadarenë në ambjentet e muzeut. Për specifikime të mëtejshme rreth praktikave edukative të Muzeut, apo për ndërtimin e planeve të personalizuara ju lutem na shkruani në shtepiakadare@tirana.al.