Rrugëtimi i bashkëpunimit mes Muzeut Kadare dhe Ambasadës Çeke në Shqipëri ka qënë tejet i suksesshëm, në kuadrin e zhvillimit të aktiviteteve kulturore dhe letrare, me qëllim promovimin e letërsisë dhe kulturës së këtyre dy vendeve. Shtëpia Studio Kadare së bashku me Ambasadën Çeke hapën siparin e një sërë takimesh dhe seminaresh, ku do të trajtohen shkrimtarë të njohur në mbarë botën, si Franz Kafka, Milan Kundera, Ismail Kadare e shumë të tjerë. I ftuar special në këtë mbrëmje letrare ishte pedagogu, përkthyesi dhe antropologu i njohur ҫek Premysl Vins, i cili mbajti një ligjëratë mbi letërsinë shqipe të përkthyer në Çeki, tregoi rreth dëshmive të para që vinin nga realiteti gjatë kohës së okupacionit austro-hungarez, dhe më pas u ndal tek përkthimet e para të veprave të shkrimtarit Ismail Kadare. Të ftuar të tjerë studiues, letrar, apo dhe dashamirës të librit u përfshinë në këtë seminar duke bashkëbiseduar rreth letërsisë shqipe në Çeki dhe anasjelltas, përkthimeve ndër vite, dhe sfidat që po hasin përkthyesit.
