Rreth Nesh

Hapja për publikun e Muzeut Vendor “Shtëpitë Studio Kadare – Agolli” shënon themelimin e muzeut të parë letrar në Shqipëri, një investim i Bashkisë Tiranë. Më 24 Maj 2019 u përurua “Shtëpia Studio Kadare”, duke e shndërruar apartamentin në të cilën jetoi shkrimtari Ismail Kadare, prej vitit 1973 deri në 1990-ën, në një hapësirë të rëndësishme kultrurore të kryeqytetit. Ndërsa 5 vite më vonë, më 13 Tetor 2024 pas një procesi kërkimor i cili zgjati disa vite, u hap për publikun “Shtëpia Studio Agolli” ose apartamenti ku jetoi shkrimtari dhe familja e tij, prej vitit 1974 deri në 2017-ën, vit në të cilin u nda nga jeta. Këto ndërhyrje të rëndësishme, e shndërruan “Pallatin me Kuba” të projektuar nga Arkitekti Maks Velo, në pallatin ku sot gjenden muzetë e dy shkrimtarëve shqiptarë.

 

Kuratore e “Shtëpive Studio Kadare – Agolli” është Elizabeta Terragni (Studio Terragni Architetti), së bashku me një ekip kërkimor vendas dhe të huaj, si edhe me bashkëpunimin e disa institucioneve të kulturës në Shqipëri.