Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Shtëpia Studio Kadare ka startuar “Maratonën e Dhurimit të Librit”, duke nisur me dhurimin e librit “Kundër Rrymës” i cili vjen në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Ky program ka si synim të pasurojë biblotekat e shkollave publike dhe jo-publike.

“Kundër Rrymës” është një libër për fëmijë që i dedikohet jetës së biologes dhe iktiologes Sabiha Kasimati. Ky libër vjen për lexuesin përmes ilustrimeve nga perspektiva e peshqve, të cilët shkencëtarja i studioi intensivisht. Sabiha Kasimati ishte një shkencëtare biologe dhe iktiologe, e njohur si një nga gratë e para shkencëtare në Shqipëri. Ajo ngriti muzeun e parë të shkencave të natyrës. Sabiha u arrestua nga regjimi komunist në 20 Shkurt 1951, pas bombardimit të Ambasadës Sovietike, dhe disa ditë më vonë u ekzekutua në mungesë të një gjykimi të drejtë, sëbashku me 21 intelektualë të tjerë.

Në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë” dhe të #MuajiKujtesës, me qëllim nderimin e figurës së shkencëtares së parë shqiptare Sabiha Kasimati, muzeu ynë në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer Shqipëri, dhuroi kopje të librit “Kundër Rrymës”, bibliotekës së “Shkollës së kuqe” ku lexuam dhe diskutuam së bashku me nxënësit e klubit të librit të shkollës.

Të rinjtë na frymëzojnë!