“Retë prej Drite” – Ndue Ukaj

Shtëpia Studio Kadare ishte pjesë e programit Javët Kulturore Ndërkombëtare. U zhvilluan në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës aktivitete të ndyshme si përurime libri, kumtesa, etj. E hapëm siparin me ligjëratën nga pedagogu, studiuesi Z.Dritan Idrizi mbi “Komunikimin në Publik”. Gjatë mbajtjes së këtij leksioni ai u ndal tek rëndësia e të folurit në publik, karakteristikat që duhet të kenë të rinjtë për t’u përballur me jetën publike, audiencën e gjërë, televizionin. 

Ligjërata nga Dr. Elsa Skënderi ishte një kumtesë mbi peisazhin linguistik të Tetovës, i cili reflekton identitetin kulturor të anëtarëve të një komuniteti.

Letërsia Kombëtare ishte një hapësirë tjetër në këtë program ku u promovuan tre libra të rinj nga autorë shqiptarë:

Libri me poezi “Retë prej Drite” nga shkrimtari Ndue Ukaj. Të pranishëm në këtë përurim ishin studiues, përkthyes, shkrimtarë si Visar Zhiti, Stefan Çapaliku, Ambasadori i Republikës së Kosovës.

Romani më i ri i shkrimtares Rita Petro “Lindur për së prapthi”, një autobiografi e fortë e autores me mbresa, kujtime të fëmijërisë dhe adoleshencës, i cili vjen për lexuesit përmes ngjyrave të realizmit magjik. Ky takim bëri bashkë miq, lexues dhe studiues si prof. Lili Sula.

“Kësulëkuqja, një përrallë për të rritur” romani më i ri autorit Ag Apolloni përmbylli javën kulturore. Një roman i cili ngacmoi të pranishmit që nga titulli. Një version tjetër i Kësulëkuqes, një histori dashurie, një ndërthurje e mitologjisë, animacionit, përrallës dhe luftës.